ATSH/ – Pas kalimit rreth Hënës, kapsula ”Orion” e NASA mbylli një mision prej gati dhjetë ditësh: rikthim me shpejtësi mbi Mach 30, ndërprerje komunikimi, hapje parashutash dhe rikuperim në oqean, pranë San Diego, shkruan italia-informa.com.

Kthimi i Artemis II u përmbyll me një imazh që NASA e priste prej vitesh: kapsula Orion që prek ujërat e Paqësorit pranë San Diego-s në orën 02:07 të së shtunës, 11 prill.

Në bord ndodheshin Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen — njerëzit e parë që u rikthyen drejt Hënës dhe u kthyen të sigurt nga ajo trajektore që nga Apollo 17 në vitin 1972.

Misioni, i nisur më 1 prill nga Florida, zgjati pothuajse dhjetë ditë.

Faza më delikate ishte edhe më spektakolarja. Pas ndarjes nga moduli i shërbimit, Orion riorientoi mburojën termike për hyrjen në atmosferë; në rreth 400 mijë këmbë lartësi kapsula lëvizte me 35 herë shpejtësinë e zërit.

Më pas hyri në një ndërprerje të komunikimeve që zgjati rreth gjashtë minuta, ndërsa plazma e mbështillte anijen.

Pak minuta më vonë u hapën fillimisht parashutat frenues, pastaj tre parashutat kryesore, duke ulur shpejtësinë deri në uljen në ujë. Një sekuencë që në televizion zgjat pak sekonda, por që përmbledh vite projektimi, simulimesh dhe testimesh.

Operacioni i rikuperimit vijoi sipas protokollit të përgatitur me Marinën dhe forcat ushtarake amerikane: afrimi me gomone, sigurimi i kapsulës, dalja e astronautëve, transferimi me helikopter dhe mbërritja në anijen USS John P. Murtha për kontrollimet e para mjekësore para kthimit në Houston.

Në komunikatën e publikuar disa orë pas uljes, administratori i NASA-s Jared Isaacman përshëndeti ekuipazhin me fjalët: “Mirë se u kthyet në shtëpi dhe urime për një arritje vërtet historike”.

Por rëndësia e Artemis II nuk qëndron vetëm te ulja e suksesshme. Ky ishte një hap kyç për të testuar me njerëz në bord sistemet jetike, shtytjen, navigimin, komunikimet dhe kushtet e jetesës së Orion në hapësirën e thellë.

Gjatë fluturimit, ekuipazhi arriti një distancë maksimale prej rreth 406.773 kilometrash nga Toka, duke tejkaluar rekordin e Apollo 13.

Misioni pati edhe një vlerë simbolike: përfshinte gruan e parë, astronautin e parë me ngjyrë dhe kanadezin e parë në një mision drejt Hënës.   /os/