ATSH/ Në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, u zhvillua një aktivitet në kuadër të “Ditës Olimpike”, ku mbi 300 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Vasil Ziu” sollën emocione, energji dhe performanca mbresëlënëse.
Nga nxënësit e ciklit të ulët deri tek ata të klasave të nënta, të gjithë u bënë pjesë e një spektakli të bukur sportiv dhe artistik, duke përcjellë vlerat më të rëndësishme të olimpizmit: miqësinë, respektin dhe ekselencën.
Veçanërisht mbresëlënëse ishte pjesëmarrja e Ekipeve Sportive në Shkolla dhe performancat e ekipeve U10, të cilat treguan talent, disiplinë dhe pasion për sportin.
Karakteristika më e veçantë e kësaj dite ishte mënyra artistike dhe edukative me të cilën nxënësit shpalosën historinë e Lojërave Olimpike, nga lashtësia deri tek Lojërat Moderne, përmes performancave kreative dhe interpretimit skenik.
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, falënderoi Bashkinë Durrës, Zyrën Arsimore, Akademinë Olimpike, mësuesit e shkollës “Vasil Ziu”, nxënësit dhe prindërit për angazhimin dhe kontributin e tyre në realizimin e kësaj dite të veçantë.
Gjatë vizitës së tij në Durrës, presidenti i KOKSH, Fidel Ylli zhvilloi gjithashtu një takim në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive “Bernardina Qerraxhia”, e inauguruar së fundmi. Ylli u prit nga drejtoresha Erida Zorba dhe stafi i shkollës, ndërsa vizitoi muzeun dhe ambientet sportive të institucionit.
Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për mbështetjen ndaj sportit dhe lëvizjes olimpike, Erida Zorba i dhuroi presidentit Fidel Ylli pllaketën e “Javës Olimpike”, organizuar në shkollë më 6 maj.



























