Dom Nikollë Kaçorri lindi në Krej të Lurës në vitin 1862 dhe u formua në institucione arsimore europiane. Ai përfundoi Kolegjin Urban në Romë dhe më pas kreu studimet në teologji, filozofi dhe shkenca politike në Universitetin e Zyrihut.
Pas kthimit në atdhe në vitin 1893, ai u angazhua në veprimtari fetare dhe atdhetare, duke luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin e lëvizjes kombëtare në fillim të shekullit XX. Gjatë viteve 1905 – 1907, kontribuoi në drejtimin e kryengritjes së armatosur në Kurbin dhe në konsolidimin e veprimtarisë patriotike në veri të vendit.
Dom Nikollë Kaçorri ka dhënë një kontribut të çmuar me pjesëmarrjen e tij në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit dhe në vitin 1909 në Kongresin e Elbasanit.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ai shërbeu si zëvendëskryeministri i parë në qeverinë e Ismail Qemalit, duke u bërë një nga figurat kyçe të shtetit të ri shqiptar.
Gjithashtu, Dom Nikollë Kaçorri shquhet për mbledhjen dhe dokumentimin e folklorit shqiptar, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Një dëshmi e vyer e këtij kontributi është botimi i veprës “Canti Albanesi Popolari”.
Ai ishte një personalitet i shquar i Kishës Katolike, sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke administruar edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës.



























