Qindra vizitorë nga Elbasani, qytete të tjera të vendit dhe turistë të huaj morën pjesë në festën e zhvilluar në qendër të fshatit, ku nuk munguan muzika, aktivitetet argëtuese dhe panairet me produkte vendase.

Vëmendjen kryesore e mori qershia, produkti më i njohur i Godoleshit, e cila u ekspozua në stendat e fermerëve vendas. Vizitorët patën mundësi të njiheshin nga afër me prodhimet e zonës, ndërsa panairi artizanal solli një mozaik punimesh tradicionale dhe suveniresh karakteristike.

Atmosfera festive u pasurua nga programi artistik me këngë, valle popullore dhe performanca të ndryshme kulturore, që tërhoqën interesin e të pranishmëve gjatë gjithë mbrëmjes.

Një hapësirë e veçantë iu kushtua edhe fëmijëve, të cilët u bënë pjesë e lojërave dhe aktiviteteve të organizuara për ta.

“Festa e qershisë” është kthyer në një traditë të rëndësishme për Godoleshin, duke shërbyer si një mundësi për promovimin e fermerëve vendas dhe produkteve tipike të zonës, por edhe për të nxitur zhvillimin e turizmit rural.

Përmes këtij aktiviteti, bashkia Elbasan synon të vlerësojë punën e fermerëve dhe të promovojë pasuritë natyrore e kulturore të territorit, duke e shndërruar Godoleshin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët.

/k.s/r.e/