Nga Edlira Xherri
Klubi Shumësportësh Elbasan mori pjesë në turneun ndërkombëtar “Xhudo për Paqe”, i zhvilluar në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, me pjesëmarrjen e sportistëve nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit.
Klubi u përfaqësua me tre sportistë, të cilët regjistruan paraqitje të mira dhe rezultate pozitive në këtë aktivitet.
Në kategorinë +100 kg, Xhoan Myqelefi u shpall kampion, duke dominuar bindshëm të gjitha ndeshjet dhe duke fituar medaljen e artë.Në kategorinë -100 kg, Adi Paja zhvilloi një garë të fortë dhe u ndal vetëm nga kampioni i Europës, Shpat Zeka. Më pas, në repasazh, ai fitoi medaljen e bronztë.
Në kategorinë -90 kg, Ermal Xhani u paraqit mirë, por u detyrua të tërhiqej nga turneu për shkak të një dëmtimi.
Ekipi u drejtua nga trajneri Ermir Lazaj, ndërsa aktiviteti u organizua nga Federata Shqiptare e Xhudos.
Sportistët e Klubit Shumësportësh Elbasan u vlerësuan për paraqitjen dhe përfaqësimin dinjitoz në këtë garë ndërkombëtare.




























