ELBASAN, 2 qershor 2026 – Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Elbasan ka tashmë një drejtues të ri. Klevis Çullhaj është prezantuar zyrtarisht në krye të institucionit gjatë një takimi me stafin, ku morën pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Ceremonia e prezantimit u drejtua nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Ilmi Hoxha, i cili vlerësoi performancën e deritanishme të drejtorisë rajonale, duke nënvizuar rolin e saj si një prej strukturave më të suksesshme në nivel kombëtar. Ai kërkoi që tradita e shërbimit cilësor ndaj qytetarëve të vijojë edhe në të ardhmen, përmes profesionalizmit, korrektësisë dhe transparencës në ofrimin e shërbimeve.
Emërimi i Çullhajt sjell në krye të institucionit një profesionist me përvojë të gjatë në administratën publike dhe sektorin e sigurimeve. Gjatë viteve ai ka mbajtur poste drejtuese në Bashkinë Elbasan dhe në kompani të rëndësishme të sigurimeve, duke krijuar një profil të konsoliduar në menaxhimin institucional, administrimin fiskal dhe marrëdhëniet me publikun.
Karriera e tij përfshin drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes dhe Kontrollit në Bashkinë Elbasan, post që e mbante deri në momentin e këtij emërimi, si edhe detyrën e Drejtorit të Taksave pranë kësaj bashkie. Paralelisht, ai ka ushtruar funksionin e këshilltarit pranë Sigal Uniqa Group Austria, ndërsa për një dekadë ka drejtuar strukturat rajonale të kësaj kompanie.
I diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në degën Administrim Biznesi, Çullhaj zotëron eksperiencë në drejtimin e ekipeve, organizimin e proceseve administrative dhe menaxhimin fiskal. Ai komunikon rrjedhshëm në gjuhën angleze dhe italiane dhe është pajisur me certifikime profesionale në fushën e administrimit të biznesit.
Pritshmëritë janë që nën drejtimin e tij, Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Elbasan të vijojë përmirësimin e standardeve të punës, duke forcuar më tej cilësinë e shërbimeve dhe marrëdhënien me qytetarët e bizneset e qarkut.




























