ATSH/ Kombëtarja shqiptare është mposhtur me rezultatin 0-1 nga Izraeli në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, duke i dhënë kështu një nisje jo pozitive epokës së re nën drejtimin e trajnerit italian, Rolando Maran.

Maran zgjodhi t’i besojë që nga minuta e parë Anis Mehmetit në repartin sulmues përkrah Armando Brojës, ndërsa pas tyre aktivizoi Qazim Laçin në rolin e trekuartistit.

Ndryshime pati edhe në portë, ku Alen Sherri mori fanellën e titullarit. Në mbrojtje u konfirmua rreshtimi i zakonshëm me Mario Mitajn në të majtë, Elseid Hysajn në të djathtë dhe dyshen Arlind Ajeti – Berat Gjimshiti në qendër.

Mesfusha u përbë nga Kristjan Asllani, Ylber Ramadani dhe Arbër Hoxha.

Shqipëria pati më shumë kontroll loje gjatë pjesës së parë, por pa arritur të krijojë raste të pastra për gol. I njëjti skenar u përsërit edhe në fraksionin e dytë, ku kuqezinjtë qarkulluan topin, por u treguan pak konkretë në fazën finale.

Gjatë pjesës së dytë, tekniku italian aktivizoi Nedim Bajramin, Mirlind Dakun, Shehun, Shendin, Hadrojin, Pajazitin dhe debutuesin Luis Hasa, i cili regjistroi minutat e para me fanellën kuqezi.

Megjithatë, ndryshimet nuk sollën efektin e dëshiruar dhe Izraeli arriti të gjejë golin e vetëm të takimit në minutën e 73-të me Gloukh, duke vulosur fitoren 0-1.

Pavarësisht humbjes, sfida shërbeu si një test i parë për Rolando Maran dhe një mundësi për të parë elementë të rinj në prag të angazhimeve të ardhshme të kombëtares.