ATSH/- Një formë e diabetit e përshkruar për herë të parë, më shumë se 70 vjet më parë, është njohur tashmë zyrtarisht si diabeti i tipit 5, duke i dhënë fund dekadave të pasigurisë shkencore dhe duke hapur rrugën për diagnostikim e trajtim më të saktë të miliona pacientëve në mbarë botën, sipas Science Alert”.

Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF), kjo formë e diabetit prek kryesisht njerëzit që kanë vuajtur nga kequshqyerja kronike gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës.

Gjendja u përshkrua fillimisht në vitin 1955 dhe u njoh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në vitet 1980 si diabet i lidhur me kequshqyerjen.

Megjithatë, në vitin 1999 ajo u hoq nga klasifikimet zyrtare për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme shkencore.

Pas disa dekadash kërkimesh, Federata Ndërkombëtare e Diabetit e njohu zyrtarisht, në Kongresin Botëror të Diabetit në Bangkok në vitin 2025, si një kategori më vete.

Ndryshe nga diabeti i tipit 1, i cili shkaktohet nga një reagim autoimun, që shkatërron qelizat prodhuese të insulinës, dhe diabeti i tipit 2, i lidhur kryesisht me rezistencën ndaj insulinës, diabeti i tipit 5 lidhet me zhvillimin e pamjaftueshëm të pankreasit, si pasojë e mungesës afatgjatë të ushqimit dhe lëndëve ushqyese.

Si rezultat, organizmi nuk prodhon sasi të mjaftueshme të insulinës për të kontrolluar nivelin e sheqerit në gjak.

Ekspertët vlerësojnë se kjo sëmundje mund të prekë 20 deri në 25 milionë njerëz, në nivel global, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Azi, Afrikë dhe pjesë të Amerikës Latine.

Shumica e pacientëve janë të rinj, shpesh nën peshë dhe me histori të kequshqyerjes së rëndë gjatë viteve të para të jetës.

Një nga problemet kryesore ka qenë se shumë pacientë janë diagnostikuar gabimisht si diabetikë të tipit 1 ose 2.

Kjo ka bërë që të marrin trajtime jo të përshtatshme.

Studiuesit paralajmërojnë se terapitë standarde, sidomos dozat e zakonshme të insulinës, mund të mos jenë efektive dhe në disa raste të shkaktojnë episode të rrezikshme të uljes së sheqerit në gjak.

Simptomat janë të ngjashme me format e tjera të diabetit dhe përfshijnë etje të shtuar, urinim të shpeshtë, lodhje, humbje peshe dhe nivele të larta të glukozës në gjak.

Megjithatë, pacientët me diabet të tipit 5 zakonisht, kanë indeks të ulët të masës trupore dhe nuk shfaqin shenja autoimune karakteristike të diabetit të tipit 1.

Për momentin nuk ekzistojnë kritere të standardizuara diagnostikuese, por IDF ka krijuar një grup pune ndërkombëtar të drejtuar nga endokrinologia Meredith Hawkins, për të zhvilluar udhëzime diagnostike, regjistra globalë të pacientëve dhe rekomandime të reja trajtimi.

Specialistët shpresojnë se njohja zyrtare e diabetit të tipit 5, do të rrisë ndërgjegjësimin për një sëmundje, që për dekada ka mbetur në hije dhe do të ndihmojë, në identifikimin e miliona pacientëve, që deri më sot kanë marrë diagnozë ose trajtim të gabuar.

Për ekspertët, kjo sëmundje përfaqëson gjithashtu një kujtesë të fortë se varfëria, pasiguria ushqimore dhe kequshqyerja mund të kenë pasoja afatgjata serioze për shëndetin, shumë vite pasi mungesa e ushqimit ka kaluar. //a.i/