Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e komuniteteve fetare të qytetit, ku u prezantua projekti i rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit, një nga asetet më të rëndësishme historike, kulturore dhe shpirtërore të qytetit.
Gjatë takimit, u diskutuan vizioni dhe ndërhyrjet e planifikuara për rijetëzimin e kësaj zone me vlera të veçanta, ndërsa përfaqësuesit e komuniteteve fetare ndanë sugjerimet dhe idetë e tyre për ruajtjen e identitetit historik dhe harmonisë që karakterizon Kalanë e Elbasanit.
Kryebashkiaku Llatja vlerësoi rolin e komuniteteve fetare si pjesë e rëndësishme e historisë dhe trashëgimisë së Kalasë, duke theksuar se bashkëpunimi me të gjithë aktorët lokalë është thelbësor për realizimin e një projekti që respekton të kaluarën dhe ndërton një të ardhme më të mirë për qytetin.
Projekti synon ta kthejë Kalanë në një hapësirë më të gjallë, mikpritëse dhe tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët, duke forcuar rolin e saj si një nga pikat kryesore të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit turistik të Elbasanit.
Projekti i rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit mbështetet nga Albanian-American Development Foundation dhe është hartuar nga arkitekti turk Emre Arolat në bashkëpunim me MVM Architecture. Ai parashikon restaurimin dhe rijetëzimin e zonës historike, përmirësimin e hapësirave publike, zhvillimin e infrastrukturës për vizitorët dhe krijimin e ambienteve multifunksionale për aktivitete kulturore, artistike dhe turistike.
Synimi është që Kalaja të rikthehet në një prej destinacioneve më të rëndësishme kulturore dhe turistike në vend, duke u shndërruar njëkohësisht në një motor të ri zhvillimi ekonomik për qytetin.
Kalaja e Elbasanit konsiderohet një nga kalatë fushore të banuara më të rëndësishme në Ballkan, me histori që daton që nga periudha romake, dhe projekti synon të ruajë këtë trashëgimi duke i dhënë një identitet të ri urban dhe kulturor.




























