ATSH-DPA/ – Ish-sulmuesi i Gjermanisë, Lukas Podolski ka deklaruar se nuk është më i gatshëm të zgjohet në mes të natës për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës, përveç rasteve kur luan kombëtarja gjermane në fazat vendimtare të turneut.

Fituesi i Botërorit 2014 tha për “Sport1” se turneu i zgjeruar që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nuk ka të njëjtin prestigj si kompeticionet e mëparshme të zhvilluara në atë rajon. Për shkak të diferencës kohore, shumë ndeshje do të luhen gjatë natës sipas orës evropiane.

“Për këtë jam jashtë”, u shpreh Podolski.

“Arsyeja e vetme pse ngrihesha natën ishte për të parë Chicago Bulls ose Mike Tyson. E mbaj mend ende nga fëmijëria ime”, tha ai.

Podolski, 41-vjeç,  shtoi se do të bënte një përjashtim vetëm nëse kombëtarja gjermane  do të luante në fazën me eliminim direkt dhe ndeshja do të niste në orët e para të mëngjesit.

“Atëherë sigurisht që do ta shikoja”,  tha ai.

Megjithatë, Podolski theksoi se nuk dëshiron më ta organizojë jetën e tij rreth futbollit.

“Kam familje, jemi me pushime dhe fëmijët e mi kanë qëndruar pa mua për një kohë të gjatë kohët e fundit. Tani fokusi im janë fëmijët, jo futbolli”, deklaroi ish-sulmuesi.

Podolski, i cili zhvilloi 130 ndeshje me Gjermaninë dhe shënoi 49 gola, i dha fund karrierës muajin e kaluar te Gornik Zabrze në vendin e tij të lindjes, Poloni.

Gjatë karrierës ai luajti edhe për klube të mëdha si “FC Bayern Munich”, “Arsenal F.C.” dhe “Galatasaray S.K”./  /Ad.Ab./ a.jor.