ATSH/- Dy nga sulmuesit më të mirë në botën e futbollit do të përballen sot në mbrëmje në Stadiumin e Bostonit, ku Franca do të luajë kundër Norvegjisë, shkruan BBC.

Të dyja ekipet kombëtare kanë fituar dy ndeshjet e tyre të para në fazën e grupeve të Kupës së Botës, të ndihmuara nga performancat e forta dhe vendimtare të lojtarëve kyç.

Kylian Mbappé dhe Erling Haaland kanë shënuar nga dy gola në secilën prej ndeshjeve të para, duke arritur në katër gola gjithsej në turne. Ndërkohë, Lionel Messi kryeson garën për “Këpucën e Artë” me pesë gola.

Me vendin e parë në Grupin I ende të hapur, të dy lojtarët pritet të jenë titullarë, pavarësisht se skuadrat e tyre, tashmë janë kualifikuar për fazën me eliminim direkt.

Ndeshja shihet praktikisht si një duel për vendin e parë në grup, që në teori mund të sjellë një rrugë më të favorshme në fazën me eliminim.

Sa të rëndësishëm janë këta dy lojtarë për skuadrat e tyre?

Edhe pse të dy janë të rëndësishëm për klubet e tyre, roli i Mbappé dhe Haaland bëhet edhe më vendimtar në nivel ndërkombëtar.

Që nga gushti 2022, Franca ka fituar 69,8% të ndeshjeve me Mbappé në formacion, ndërsa vetëm 50% pa të.

Mbappé, golashënuesi më i mirë i historisë së Francës, e rrit ndjeshëm edhe fuqinë sulmuese të ekipit.

Në këtë periudhë, Franca ka shënuar mesatarisht 2,3 gola për ndeshje me pjesëmarrjen e tij, krahasuar me 1,9 pa të.

Duke pasur parasysh se Norvegjia nuk ka shumë lojtarë të tjerë të fortë, nuk është surprizë që Haaland është edhe më vendimtar për skuadrën e tij.

Që nga gushti 2022, Norvegjia ka fituar 64,5% të ndeshjeve me Haaland, por vetëm 33,3% pa të.

Niveli i performancës në Botëror

Ky turne ka treguar se as Mbappé dhe as Haaland nuk frikësohen nga presioni i një kompeticioni të madh.

Përtej vëmendjes që merr Messi, duket vetëm çështje kohe para se Mbappé ta arrijë atë në krye të listës së golave në Botëror.

Francezi ka vetëm dy gola më pak se Messi dhe ka shënuar 16 gola në 16 paraqitje në Botëror.

Duke qenë 12 vite më i ri, Mbappé ka shumë më tepër mundësi të vazhdojë këtë garë, ndërsa kjo mund të jetë Kupa e fundit e Botës për Messin.

Nga ana tjetër, Haaland po luan në Botërorin e tij të parë dhe e ka nisur atë, në mënyrë të jashtëzakonshme.

Ai është lojtari i gjashtë në historinë e Kupës së Botës, që shënon më shumë se një gol në secilën nga dy ndeshjet e para dhe vetëm i dyti në 50 vitet e fundit, që e arrin këtë, pas Harry Kane në 2018.

Niveli i performancës së tij me Norvegjinë, është gjithashtu mbresëlënës, pasi ai ka shënuar në 12 ndeshje ndërkombëtare radhazi, përfshirë 16 gola në gjashtë ndeshjet e fundit.

Në total, Haaland është edhe më efikas në nivel ndërkombëtar.  Mbappé ka 60 gola në 100 ndeshje, ndërsa Haaland ka 59 gola në vetëm 52 ndeshje.

Si ndryshojnë ata në lojë?

Të dhënat e ndeshjeve tregojnë dallime të qarta në mënyrën se si luajnë.

Mbappé ka më shumë ndikim në sulm, në aspektin e driblimeve dhe krijimit të rasteve.

Ai ka më shumë goditje, prekje të topit dhe raste të krijuara, ndërsa Haaland ka më shumë asistime në sezonin 2025-2026.

Dallimi më i madh është te driblimet. Në këtë Botëror, Mbappé ka tentuar 14 driblime në dy ndeshje, ndërsa Haaland vetëm një.

Ndërkohë, Haaland është më i mirë në finalizim. Në katër sezonet e fundit, ai ka shënuar 23,43% të goditjeve në gol, krahasuar me 18,24% të Mbappé.

Një tjetër ndryshim është kontributi i tij mbrojtës. Mbappé nuk u bën shumë presion kundërshtarëve kur ata e kanë topin dhe renditet shumë poshtë në statistikat e presionit dhe ndërhyrjeve.

Sa larg mund të shkojë Norvegjia me Haaland?

Rëndësia e tyre për ekipet përkatëse shihet edhe në kontrubutin për të shënuar gola.

Që nga gushti 2022, Mbappé ka kontribuar në 44% të golave të Francës, ndersa Haaland në 43.9% të golave të Norvegjisë

Franca shihet si një nga favoritët kryesorë për të fituar turneun. Edhe vetë Haaland ka thënë se beson që, Franca do të mposhtë Norvegjinë dhe do të shkojë deri në fund të Botërorit.

Megjithatë, Norvegjia mund të jetë shumë e rrezikshme, sidomos me Haaland në formë të jashtëzakonshme. Me një sulmues të tillë, nuk mund të nënvlerësohen ambiciet në këtë Botëror. //a.i/