Kështu, 665 turistë nga e gjithë bota u ndalën në Portin e Durrësit me anijen kroçierë “Nautica”.
Autoriteti Portual njoftoi se Porti i Durrësit mirëpriti sot edhe një tjetër anije kroçierë, “Nautica”, e cila rikthehet sërish në qytet në kuadër të itinerareve të saj mesdhetare.
Turistët janë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe vende të tjera të botës.
Me gjatësi 181 metra, “Nautica” lundron nën flamurin e Ishujve Marshall dhe është pjesë e flotës së Oceania Cruises, e njohur për udhëtimet luksoze dhe itineraret që përfshijnë disa nga destinacionet më tërheqëse të Mesdheut.
Gjatë ndalesës në Durrës, turistët do të vizitojnë qytetin dhe destinacione të tjera me rëndësi historike e kulturore, duke njohur nga afër trashëgiminë dhe mikpritjen shqiptare
Me mbërritjet e njëpasnjëshme të anijeve turistike, Porti i Durrësit ka hyrë zyrtarisht në sezonin e kroçerave, duke mirëpritur vizitorë nga e gjithë bota dhe duke forcuar rolin e tij si porta kryesore detare e turizmit në Shqipëri.



























