ATSH/ Regata Ndërkombëtare Brindisi–Vlorë është kthyer në një histori suksesi për turizmin detar shqiptar.
Nga vetëm 10 jahte në edicionet e para, sot kjo garë me jahte mirëpret rreth 50 mjete lundruese, me mbi 250 pjesëtarë ekuipazhesh dhe rreth 400 vizitorë të huaj, përfshirë familjarët e tyre, të cilët zgjedhin të kalojnë fundjavën në Vlorë dhe Orikum, por jo vetëm, me itinerare tokësore deri në Berat e site të trashëgimisë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja theksoi se ky zhvillim dëshmon rritjen e vazhdueshme të interesit për destinacionin tonë, aq sa regata Brindisi-Vlorë, e cila nga viti i ardhshëm po planifikon të përfshijë edhe Sarandën, tashmë konkurron denjësisht regatën tradicionale Brindisi–Korfuz, e cila nga rreth 150 pjesëmarrës vite më parë, sot numëron rreth 70.
Çdo edicion forcon pozicionin e Marina Orikum dhe Gjirit të Vlorës si një nga destinacionet më premtuese të turizmit detar në rajon, duke sjellë më shumë vizitorë, promovim ndërkombëtar dhe vlerë për ekonominë lokale.



























