ATSH-DPA/ – FIFA u ka vendosur një afat 211 federatave anëtare për të miratuar një plan të ri investimi që synon të sigurojë miliarda dollarë financim për organizatën.
Sipas mediave britanike, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u ka dërguar një letër federatave ku kërkon miratimin e projektit deri më 19 shtator.
Sipas raportimeve, çdo federatë që pranon marrëveshjen brenda afatit do të përfitojë 40 milionë dollarë, ku 20 milionë dollarë do të jepen menjëherë si pagesë fillestare.
Fondet do të vijnë nga një paketë financimi me vlerë 10 miliardë dollarë.
Federatat që nuk do të bashkohen me planin nuk do të marrin këtë përfitim, por do të vazhdojnë të jenë të kualifikuara vetëm për rreth 2,7 milionë dollarë në kuadër të skemës aktuale të shpërndarjes globale të FIFA-s.
FIFA njoftoi dje se synon të krijojë një filial të ri të quajtur ”FIFA Forward Enterprise” (FFE).
Kjo njësi do të bashkojë shitjen e të drejtave tregtare me organizimin operacional të turneve të FIFA-s, veçanërisht të Kupës së Botës, e cila gjeneron të ardhurat më të mëdha për organizatën.
Sipas FIFA-s, FFE do të jetë e hapur për investitorë privatë që do të mund të blejnë paketa aksionesh në minorancë.
Organizata e vlerëson këtë entitet të ri në rreth 20 miliardë dollarë.
Megjithatë, plani ka hasur në kundërshtime të menjëhershme.
UEFA, së bashku me disa organizata të tjera të futbollit, e ka dënuar nismën, duke shprehur shqetësime për përfshirjen e investitorëve privatë në strukturat komerciale të FIFA-s dhe ndikimin që kjo mund të ketë në të ardhmen e futbollit ndërkombëtar./ /Ad.Ab./ a.jor.



























