ATSH/ Sulmuesi anësor i Juventusit, Edon Zhegrova, shënoi të mërkurën golin e fitores në suksesin 1-0 të bardhezinjve ndaj Chelseat, në një miqësore prestigjioze të zhvilluar në Hong-Kong.
Ky ishte goli i parë i Zhegrovës me fanellën e Juventusit, edhe pse futbollisti i Kombëtares së Kosovës është pjesë e klubit torinez prej një viti.
Juventusi triumfoi 1-0 në stadiumin “Kai Tak”, në miqësoren e parë verore të zhvilluar në tokën aziatike.
Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim pa gola, trajneri Luciano Spalletti hodhi në fushë Edon Zhegrovën dhe disa lojtarë të tjerë nga stoli, të cilët ndryshuan ritmin e lojës së bardhezinjve.
Goli vendimtar erdhi pas një aksioni të shpejtë, kur Kenan Yıldız shërbeu në hyrje të zonës për Zhegrovën. Futbollisti i Kosovës goditi me saktësi, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës së mbrojtur nga portieri i Chelseat, Mike Penders, për t’i dhënë Juventusit fitoren në testin e luksit ndaj londinezëve.



























