ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek situatën e krijuar pas tërmetit me magnitudë 7,4 që goditi Kolumbinë më 10 gusht, me epiqendër pranë San José del Palmar, në pjesën perëndimore të vendit.

Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet, tërmeti ka shkaktuar 132 viktima dhe mbi 570 të plagosur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimi i dëmeve vijojnë në zonat e prekura.

MEPJ, përmes Ambasadës së Shqipërisë në Brazil, e cila mbulon edhe Kolumbinë, është në kontakt me autoritetet kolumbiane dhe po verifikon në vijimësi situatën e shtetasve shqiptarë.

Deri në këto momente, nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të vdekur apo të plagosur nga tërmeti.

Gjithashtu, sipas informacionit të marrë deri tani, nuk rezultojnë dëmtime në institucionet penitenciare ku ndodhen shtetas shqiptarë që vuajnë dënimin në Kolumbi ose janë në pritje të procedurave të ekstradimit.

MEPJ dhe Ambasada shqiptare në Brazil vijojnë komunikimin me autoritetet kolumbiane dhe monitorimin e situatës.

Shtetasit shqiptarë në Kolumbi që kanë nevojë për asistencë konsullore mund të kontaktojnë numrin e emergjencës së Ambasadës së Shqipërisë në Brazil: +55 61 99301 6139.

/gj.m/a.f/r.e/