Të parët që rrezikuan ishin miqtë nga juglindja teksa në minutën e 11-të humbën rastin më të mirë për të kaluar në avantazh, kur Bismark humbi 11-metërshin e pritur nga Dajsinani.
Në minutën e 14-të Albanese zhbllokoi sfidën dhe kaloi Egnatian në avantazh.
Skënderbeu reagoi dhe arriti të barazojë në minutën e 34-t. Korçarët fituan një tjetër penallti pas ndërhyrjes së VAR-it dhe Nasr u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e çuar rezultatin në 1-1.
Pjesa e dytë ishte e luftuar, me të dyja skuadrat që kërkuan golin e avantazhit. Egnatia pati disa tentativa për të fituar një tjetër penallti, ndërsa Skënderbeu rrezikoi portën e Dajsinanit.
Në minutën e 84-t, vendasit gjetën golin e fitores. Albanese shërbeu për Loukili, i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë dhe riktheu Egnatian në avantazh. Goli u verifikua nga VAR për një pozicion të mundshëm jashtë loje, por në fund u konfirmua.
Në minutat e mbetura, Skënderbeu nuk arriti të reagojë dhe Egnatia siguroi tri pikët.
Me këtë sukses, skuadra e Nevil Dedes regjistron fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe konsolidon pozitat në krye të renditjes, duke dhënë një tjetër sinjal të fortë në mbrojtje të titullit kampion.
Java e tretë vijon me dy sfida të tjera të shtunën. KF Laçi pret Teutën në shtëpi të shtunën në orën 16:00, ndërsa të kuqtë e Partizanit do të udhëtojnë drejt Shkodrës për t’u përballur me Vllazninë në “Loro Boriçi” në orën 18:30.
Më 6 shtator do të luhen dhe dy ndeshjet e fundit të javës së tretë. Tirana do të përballet me FK Vorën në “Selman Stërmasi” në orën 16:00, ndërsa siparin e javës së tretë do ta ulë sfida Dinamo City – AF Elbasani në orën 18:30 në “Elbasan Arena”.



























