ATSH/ Më 15 shtator 1912, në Edrene të Turqisë, lindi Sabiha Kasimati, shkencëtare dhe pioniere e studimit të faunës ujore në Shqipëri.

Sabiha Kasimati lindi në një familje me origjinë nga Libohova. Ajo u rrit në Turqi, ku i ati ushtronte profesionin e mjekut. Në vitin 1927 u kthye në atdhe dhe u vendos në Korçë, ku ndoqi Liceun Kombëtar. Më pas punoi si mësuese në Shkollën Femërore të Korçës dhe në Shkollën e Mesme Bujqësore Amerikane të Kavajës, gjatë viteve 1931–1936.

Në vitin 1936, filloi studimet për biologji, në degën e iktiologjisë, në Universitetin e Torinos. Pas përfundimit të tyre, më 1941 mbrojti doktoratën dhe u kthye në Shqipëri. Gjatë viteve 1941–1945 punoi si mësuese biologjie në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë.

Me themelimin e Institutit të Studimeve, më 1946, filloi punën si kërkuese shkencore. Ajo iu përkushtua studimit të faunës ujore të Shqipërisë dhe grumbulloi materiale të rëndësishme për iktiologjinë shqiptare.

Më 20 shkurt 1951 u arrestua pas incidentit me bombë, në Ambasadën Sovjetike. Më 26 shkurt u pushkatua pa gjyq, së bashku me 21 intelektualë të tjerë. Në vitin 2011, u nderua pas vdekjes me titullin “Nderi i Kombit” për kontributin e saj në shkencën shqiptare. /j.p/