ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli sot një mesazh për vajzat e gratë që synojnë të ecin përpara në sporte.
“Një mesazh për çdo vajzë dhe grua që ka një ëndërr, një qëllim dhe dëshirën për të ecur përpara. Ëndërro. Puno. Beso. Mos u dorëzo”, ishin fjalët e ministrit Gonxhja, shoqëruar me pamjet të vajzave sportiste në sporte që dikur janë parë si fusha që u takonin vetëm burrave, si mundja, futbolli, karateja etj.
Ky mesazh ndërgjegjësues jepet në kuadër të projektit “SheAds”, i cili ka mbështetjen e Bashkimi Evropian.
“SheAds” është një projekt i financuar nga programi “Erasmus+” i Bashkimit Evropian, i cili fokusohet në rritjen e shikueshmërisë dhe promovimin e barazisë gjinore për gratë në sport, me një fokus të veçantë në Shqipëri.
Projekti synon të sfidojë narrativat e vjetruara mediatike që shpesh përqendrohen te pamja e jashtme e sportisteve në vend të arritjeve të tyre profesionale.
/a.f/



























