Kritikat vijnë në një kohë kur kryebashkiaku i kryeqytetit, Vitali Klitschko, po përballet me presion në rritje për mënyrën se si qyteti po përgatitet për sezonin e ftohtë.

 

Në një video-mesazh, Zelensky deklaroi se banorët e Kievit mund ta shohin vetë se qyteti nuk është përgatitur siç duhet.

Ai përmendi ndërprerjet e energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë si pasojë e sulmeve me dronë rusë, si dhe problemet me strehimoret, përgatitjen e shkollave, ndërtimin e strukturave mbrojtëse për objektet kryesore dhe funksionimin e transportit publik.

Autoritetet e kryeqytetit janë kritikuar edhe në rrjetet sociale, pasi sulmet ruse me dronë dhe raketa kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike gjatë ditëve të fundit.

Zelensky tha se Kievi po mbetet prapa rajoneve të tjera të vendit në zbatimin e planeve për përballimin e dimrit, pa përmendur drejtpërdrejt emrin e Klitschkos.

Ai theksoi se nevojiten vendime konkrete dhe se kishte zhvilluar bisedime edhe me përfaqësues të rajoneve të tjera, përfshirë kryetarin e bashkisë së Harkivit.

Nga ana e tij, Klitschko i hodhi poshtë kritikat, duke argumentuar se Kievi ka qenë objektiv i sulmeve veçanërisht intensive ruse prej disa javësh.

Ai theksoi se kryebashkiaku nuk është përgjegjës për mbrojtjen ajrore dhe e cilësoi fushatën kundër tij si një përpjekje për të dobësuar vetëqeverisjen vendore dhe për ta zëvendësuar me një drejtues më të afërt me pushtetin qendror.

Klitschko deklaroi se po bën gjithçka të mundur që qyteti të vazhdojë të funksionojë, pavarësisht sulmeve shkatërruese.

Kryebashkiaku pretendoi gjithashtu se rreth 300 kryetarë bashkish në të gjithë Ukrainën janë zëvendësuar tashmë nga qeveria qendrore me persona më të përshtatshëm për interesat e saj.

Ndërkohë, parlamenti ukrainas e ka ftuar Klitschkon në një seancë pyetje-përgjigjesh të mërkurën, ndërsa për të shtunën është planifikuar një protestë para bashkisë së Kievit, ku kërkohet dorëheqja e tij.

Ukraina po përballet me pushtimin e plotë rus që prej shkurtit të vitit 2022.

Ndërsa afrohet dimri, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe shërbimeve jetike po shtojnë shqetësimet për furnizimin me energji, ngrohje dhe ujë, duke e bërë përgatitjen e qyteteve një çështje të rëndësishme për sigurinë dhe jetën e përditshme të popullsisë. /Ad.Ab./ a.jor.