“Për disa ditë, qysh se kur kjo flakë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e koordinoj me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak”, u shpreh Rama gjatë një deklarate live në rrjetet sociale nga zyra e tij.
Kryeministri iu referua edhe ngjarjeve të 21 janarit 2011, duke bërë një krahasim me situatën e krijuar gjatë protestave të fundit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar, ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk në këtë perimetër, jo një kazan, por ku nuk u prek në asgjë asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe kur u vranë me plumba katër protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë”, deklaroi ai.
Rama tha se, ndryshe nga situata e atëhershme, gjatë protestave të fundit janë shënuar akte dhune ndaj policisë, përfshirë hedhjen e gurëve dhe sendeve metalike.
“Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë, zare hekuri e vida për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, e kam parasysh që ata janë fëmijë të verbër të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës”, u shpreh kryeministri.
Në përfundim, Rama theksoi rëndësinë e ruajtjes së qetësisë dhe shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
“Vetëpërmbajtja është A dhe Zh e kësaj historie”, tha ai.
/gj.m/ /a.g/



























