ATSH/ Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e rregullave, të procedurave dhe kritereve për pajisjen me certifikatën e ekspertit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ekspertizën mjedisore dhe auditimin mjedisor”.
Sipas projektvendimit, certifikimi do të jetë i detyrueshëm për personat fizikë dhe juridikë që ushtrojnë veprimtari në këto fusha, përfshirë përgatitjen e raporteve, ekspertizat e specializuara, auditimin dhe monitorimin mjedisor. Për t’u pajisur me certifikatë, kandidatët persona fizikë duhet të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve, në një fushë të përshtatshme me ekspertizën që kërkojnë të ushtrojnë, si shkencat mjedisore, inxhinieritë, shkencat natyrore, bujqësore, pyjore apo gjeologjike.
Procesi i certifikimit do të përfshijë edhe një provim të organizuar nga ministria përgjegjëse për mjedisin, në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë ose institucione të tjera publike të specializuara. Provimet do të zhvillohen të paktën dy herë në vit, ndërsa kandidatët do të konsiderohen kalues nëse marrin të paktën 70 pikë nga 100 pikët e mundshme.
Aplikimi për certifikim do të kryhet përmes portalit “e-Albania”. Tarifa për personat fizikë është 10 mijë lekë, ndërsa për personat juridikë 15 mijë lekë. Për shqyrtimin e aplikimit, ministria përgjegjëse për mjedisin do të ketë në dispozicion shtatë ditë pune nga paraqitja e kërkesës.
Vendimi parashikon ngritjen pranë ministrisë të Komisionit të Certifikimit të Ekspertëve Mjedisorë, i cili do të shqyrtojë përputhshmërinë e kualifikimit akademik dhe përvojës profesionale të kandidatëve me fushat përkatëse të ekspertizës.
Certifikimi do të mundësohet në disa fusha, mes të cilave biodiversiteti dhe zonat e mbrojtura, burimet ujore, toka dhe gjeologjia, ajri dhe klima, menaxhimi i mbetjeve, zhurmat dhe faktorët fizikë, veprimtaritë industriale e energjetike, industria nxjerrëse, infrastruktura, ndërtimi, bujqësia, pylltaria dhe turizmi.
Vendimi përcakton se ekspertët e certifikuar më parë, sipas vendimit të vitit 2008, do të konsiderohen të certifikuar edhe sipas rregullave të reja. Ata duhet të regjistrohen në listën e ekspertëve mjedisorë pranë ministrisë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, duke paraqitur dokumentacionin përkatës.
/e.i/j.p/r.e/



























