ATSH/Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 5,560 kilogramë misër me origjinë nga Serbia, për shkak të tejkalimit të kufijve të lejuar të Aflatoksinës B1.

Sipas njoftimit të AUV-it, masat janë ndërmarrë ndaj 3 subjekteve ekonomike në Kosovë.

Në kompaninë Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë janë asgjësuar 3,270 kilogramë misër, në Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës 1,040 kilogramë, ndërsa në NTP “Te Hysi” në Shtime 1,250 kilogramë.

Aflatoksina B1 është një substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin.

Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.

 

Përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, aflatoksina mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.

AUV u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, si dhe të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes.

Agjencia ka kërkuar që të mos përdoret apo tregtohet misri për të cilin është konstatuar tejkalimi i kufijve të lejuar të Aflatoksinës B1. /kosovaPress/