Kroi i Dervishëve, një prej burimeve historike të ujit në qytetin e Peqinit, do t’i nënshtrohet rikualifikimit. Bashkia ka nisur punën për restaurimin dhe përmirësimin e kësaj hapësire, e cila prej shekujsh është pjesë e historisë dhe kujtesës së banorëve.
I vendosur përgjatë gjurmës së Rrugës Antike Egnatia, kroi ka shërbyer ndër vite si një pikë e rëndësishme furnizimi me ujë për peqinasit, por edhe si vend ndalese për udhëtarët dhe tregtarët që përshkonin këtë itinerar historik.
Kryetari i Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi, bën me dije se ndërhyrja synon t’i rikthejë këtij monumenti vlerat historike dhe pamjen e tij, duke e kthyer në një hapësirë më tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët.
Rikualifikimi i Kroit të Dervishëve synon jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por edhe ruajtjen e një prej elementeve të trashëgimisë historike të qytetit.




























