Tatimet kanë publikuar procedurat që duhet të ndjekin bizneset për të përfituar nga paketa e dytë e ndihmës së qeverisë në kuadër të pandemisë së koronavirusit. Sipas njoftimit kategoritë përfituese duhet të hapin llogari në banka nëse nuk kanë, ndërsa shpërndarja e pagës prej 40 mijë lekë në muaj do të bëhet pas datës 21 prill.
Drejtoria e Tatimeve ka publikuar procedurat që duhet të ndjekin bizneset që janë përfshirë në paketën e dytë të ndihmës së akorduar nga qeveria për shkak të masave kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit.
Për përfitimin e pagës së luftës aplikimi do të kryhet nga vetë subjektet që plotësojnë të dhënat e punonjësve.
Sipas njoftimit pagën prej 40 mijë lekësh do ta përfitojnë katër kategori në të cilat bëjnë pjesë të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë të cilat janë mbyllur si dhe ato që janë lejuar të ushtrojnë aktivitetin sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Po ashtu pagën e luftës do ta përfitojnë edhe të punësuarit e subjekteve që janë lejuar të ushtrojnë aktivitet pas datës 10 prill.
Përveç subjekteve që kanë të punësuar përfitues do të jenë edhe individët me statusin i vetëpunësuar, të cilët nëse nuk disponojnë një llogari personale do të duhet t’i drejtohen një prej bankave të nivelit të dytë për të bërë të mundur hapjen e një llogarie personale apo biznesi në të cilën do të hidhet shuma financiare e ndihmës.
Të gjithë tatimpaguesit të cilët plotësojnë këto kritere do të njoftohen në llogaritë e tyre të deklarimit elektronik e-filing nga data 21 prill e në vazhdim.
Formulari numër 2 do të plotësohet me të dhënat e kërkuara vetëm njëherë. Ndërkohë në njoftimin e publikuar nga drejtoria e tatimeve bëhen të ditura edhe gjashtë kategoritë që nuk janë përfitues të ndihmës financiare.
Udhëzimi i plotë për aplikimin e subjekteve
1- Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë.
2-Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020.
3- Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas Urdhërit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. (Nuk përfshihen punonjësit përfitues sipas pikës 2)
4- Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.
Dorezimi i formularit
Për të dorëzuar formularin “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2”, tatimpaguesit të cilet plotësojnë kriteret e mësipërme, do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing dhe do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie duke filluar nga data 21 Prill e në vijim. Formulari nr.2 do të plotësohet me të dhënat e kërkuara vetëm 1 herë.
Kujdes:
- Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare do të kryhet nga subjekti i të punësuarit/ve dhe punonjësi/it, të cilët figurojnë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagesë.
- Të dhënat e llogarisë bankare, bëjnë pjesë në të dhënat e detyrueshme për t’u plotësuar në Formularin e përfitimit të ndihmës financiare 2. Ato duhet të disponohen nga individët përfitues dhe duhet t’i vihen në dispozicion subjektit, përpara kryerjes së aplikimit elektronikisht në llogarinë e deklarimit elektronik.
- Subjektet që do të plotësojnë kërkesën, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku banka dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë të rëndësishme. Plotësimi jo i saktë i këtyre të dhënave bllokon proçesin e kalimit të pagesës në llogarinë e individëve përfitues.
Individët, me status i vetëpunësuar, përfitues sipas VKM-së 305, datë 16.04.2020, në plotësimin e Formularit për përfitimin e ndihmës financiare, nëse nuk disponojnë një llogari personale, mund të përdorin të dhënat e llogarisë bankare të hapur për qellim të biznesit. Nëse nuk e disponojnë një llogari biznesi, do të duhet të paraqiten pranë një prej bankave të niveli të dytë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare personale apo biznesi.
Individët përfitues (punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; të punësuarit në personat fizikë tregtarë; të punësuarit në personat juridikë), të cilët nuk disponojnë një llogari bankare aktive, duhet të paraqiten pranë një prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare.
Subjektet me status i vetëpunësur, të cilët mund të jenë nën masa të mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore (bllokim llogarie bankare), duhet të hapin një llogari personale bankare, (e cila nuk mund të përdoret për qëllime te tjera), për të bërë të mundur përfitimin e ndihmës financiare.
Nuk përfitojnë ndihmë financiare sipas VKM nr. 305 datë 16.04.2020:
- Individët e punësuar, të cilët për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura bruto nga paga mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë.
- Punonjesit e institucioneve shtetërore si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror.
- Organizatat jofitimprurëse.
- Individët e subjekteve me objekt veprimtarie: tregti të produkteve ushqimore, fruta – perime, aktivitetet farmaceutike. Gjithashtu, nuk përfitojnë edhe individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjketesh.
- Individët e subjekteve të regjistruara si persona fizikë, të cilët ushtrojnë aktivitet sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, që lejohen të kryejnë aktivitetin sipas urdhrit/ve të MSHMS. Gjithashtu, nuk përfitojnë edhe individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjektesh.
- Punonjësi/it të cilët përfitojnë sipas VKM nr.254, datë 27.03.2020, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe masën e përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milion leke, ndihmës ekonomike dhe të pagesës të të ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e covid-19”.
Ora News