ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përgëzoi sot kampionen e Shqipërisë për paraqitjen në sfidën e UEFA Champions League, të luajtur sot në “Air Albania Stadium”.

 

Pavarësisht humbjes që solli eliminimin e ekipit shqiptar nga ky kompeticion, presidenti Duka u kërkon bardhebluve të shohin përpara dhe të vazhdojnë rrugën e nisur në kompeticionin tjetër europian, UEFA Europa League.

 

“Tirana, skuadra që nderoi futbollin shqiptar dhe luajti me dinjitet deri në çastet e fundit u largua nga UEFA Champions League. Ky përfaqësim dinjitoz i kampionëve të Shqipërisë, pavarësisht dëshirave dhe shanseve deri në çastet e fundit nuk u kurorëzua me kualifikim. Por kjo nuk duhet ta zhgënjejë familjen bardheblu. Forca Tirana! Europa League është një tjetër mundësi. Një tjetër mundësi! Sfida europiane vazhdon!”, tha presidenti Duka. /m.m//a.a/