ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se pas reshjeve të shumta të shiut dhe dëborës që kanë përfshirë vendin tonë gjatë 48 orëve të fundit të gjitha akset janë të kalueshme.

Por ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën

Sipas ARRSH-së, gjatë natës ka pasur reshje bore në veri të vendit, si në Dedaj-Razëm, Bajram Curri-Valbonë. Grupet e punës kanë qenë në terren, rruga është e hapur dhe qarkullimi vazhdon pa problem.

Në segmentin Fushë Arrëz-Kukës dhe Kalimash-Fushë Dukagjin, informoi ARRSH, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh në trup të rrugës, është ndërhyrë menjëherë nga kompania e mirëmbajtjes dhe po punohet akoma qarkullimi vazhdon normalisht.

Në rajonin jugor, thekson ARRSH, ka pasur reshje shiu me intesitet mesatar, si pasojë ka sjellë rënie gurësh në aksin Berat-Çorovodë dhe Patos-Ballsh, është ndërhyrë menjëher për pastrimin e rrugëve pa krijuar probleme në qarkullim

Në segmentin Qukës-Pishkash ka prurje të aluvioneve vazhdimisht. Po punohet për pastrimin e plotë të rrugës me mjete e punëtorë.