ATSH/ Projektligji “Për tregjet e kapitalit” u diskutua në komisionin Parlamentar të Integrimit.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero gjatë disktutimit deklaroi sot se projektligji “Për tregjet e kapitalit” ndërmerret me qëllim që të nxiten e të zhvillohen tregjet e kapitalit, si edhe për një mbrojtje më të mirë të investitorëve.

Sipas saj përmes p/ligjit synohet të krijohen mundësi financimi, mundësi për emetimin e letrave me vlerë, të bëjë të mundur të kanalizohen kursimet nëpërmjet tregjeve më mirë të rregulluara të investimeve, si edhe të tërhiqen investitorët e huaj.

Në bazë të ligjit të ri që propozohet të zbatohet, tregjet e kapitalit do të mbikëqyren më me efektivitet, do të vendosen standarde të larta integriteti dhe besueshmërie, ashtu si dhe do  të vendoset një bazë ligjore në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare dhe në përputhje me direktivat e BE-së.

“Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tregut të kapitalit luan dhe bursa, e cila edhe pse ka filluar aktivitetin e saj, ende nuk ka një kompani të listuar në të, apo e pranuar për tregti në këtë treg”, u shpreh Vjero.

Një risi tjetër që sjell ky p/ligj, tha Vjero, është edhe rivlerësimi i kompetencave të AMF-së, në funksion, jo vetëm të zbatueshmërisë, por  duke i dhënë edhe kompetenca hetimore në mënyrën se si mund të parandalohen mundësitë abusive dhe vendos sanksione të rënda për shkeljet në treg.

“Në rapotin “Doing Business” të Bankës Botërore, në metodologjinë e e re të tij është vendosur një kriter i ri, elementë të të cilit kërkojnë zhvillimin e tregut të kapitaleve. Pra ne vlerësohemi edhe për zbatimin e tregjeve të kapitalit si dhe listimin e shoqërive me ofertë publike, si një mjet për të rritur më shumë transparencën ndaj atyre aksionerëve që janë në minorancë“, shpjegoi Vjero.

Projektligj, tha ajo, i përgjigjet si realitetit shqiptar, tha ajo, ashtu edhe dinamikës së kërkesave të tregjeve europiane./a.gjonaj/