DFB tha në një deklaratë se Loew kishte kërkuar të lirohej nga kontrata e tij, pas turneut kontinental 11 qershor-11 korrik.
Loew udhëhoqi Gjermaninë në titullin e Kupës së Botës 2014, por është kritikuar kohët e fundit për rezultate modeste.
“Unë e bëj këtë hap me shumë vetëdije, plot krenari dhe mirënjohje të madhe, por në të njëjtën kohë vazhdoj të jem shumë i motivuar kur bëhet fjalë për turneun e ardhshëm të Kampionatit Europian”, tha Loew në deklaratë.
“Unë kam qenë në gjendje të punoj me futbollistët më të mirë në vend për gati 17 vjet dhe i kam mbështetur ata në zhvillimin e tyre. Unë kam pasur triumfe të mëdha me ta dhe humbje të dhimbshme, por mbi të gjitha shumë momente të mrekullueshme dhe magjike, jo vetëm Kupën e Botës 2014 në Brazil”, shtoi ai. /os/