/ATSH/ Egnatia ka mposhtur sot Teutën me rezultatin 1-0 në ndeshjen përmbyllëse të javës së nëntë të Superiores, duke marrë edhe kreun e klasifikimit.

Sfida, e cila shënoi edhe fundin e fazës së parë të kampionatit, konfirmoi edhe një herë se rrogozhinasit, kampionët në fuqi të Shqipërisë, mbeten një skuadër e vështirë për t’u mposhtur.

Takimi nisi me ritëm të mirë nga të dyja skuadrat, por të besuarit e Nevil Dedes u treguan më kërkues dhe vunë disa herë në provë portierin Bernardoni. Megjithatë, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Minuta e 48-të solli një moment shqetësues, pasi mbrojtësi i Egnatias, Eljon Sota, pësoi një dëmtim të rëndë dhe u largua me barrelë nga fusha e lojës.

Goli vendimtar erdhi në minutën e 68-të, kur Adjessa dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur, pas një kombinimi mjaft të mirë me Grudën.

Rrogozhinasit iu afruan edhe golit të dytë, këtë herë me Albanesen, por portieri Bernardoni reagoi mirë, duke evituar një tjetër gol.

Me këtë fitore, Egnatia ngjitet në vendin e parë të renditjes, duke parakaluar Teutën dhe duke i shkaktuar asaj humbjen e parë sezonale. Ekipi i Nevil Dedes kryeson me 21 pikë, ndërsa skuadra e Edlir Tetovës mbetet në kuotën e 20 pikëve.