Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla, kërkon ri-hapjen e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, sot më 15 mars, në 13 vjetorin e asaj ngjarje të rëndë që u mori jetën 26 personave dhe la qindra të tjerë të plagosur.
Balla i referohet një vendimi të një gjykate amerikane pak muaj më parë, e cila rrëzoi pretendimet e djalit të ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, për dëmshpërblim ndaj një autori amerikan që kishte shkruar për Gërdecin.
“Ky vendim gjykate edhe pse i karakterit civil, përmban në brendësi indiciet për ri-hapjen e hetimit ndaj Shkëlzen Berishës lidhur me përfshirjen e tij në atë tragjedi të rëndë”, shkruan Balla ndër të tjera.
Shënimi i plotë i Taulant Ballës:
13 vite nga krimi shtetëror i Gërdecit
Edhe pse drejtësia shqiptare ka dështuar deri më sot ta hetojë plotësisht, vendimi pak kohë më parë i drejtësisë amerikane konfirmoi përfshirjen dhe fajësinë e Shkëlzen Berishës dhe të Sali Berishës në masakrën e Gërdecit.
Vendimi i gjykatës amerikane mbetet referues për ri-hapjen e hetimit për krimin shtetëror në Gërdec.
Një Gjykatë Apeli në SHBA rrëzoi pretendimet e Shkëlzen Berishës duke u shprehur se faktet e përmbledhura në librin “Armët dhe Çunat” të Guy Lawson dhe ekranizimin “Qentë e Luftës”, të cilat akuzonin Shkëlzen Berishën si i përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh.
Shqiptarët e dinë se Shkëlzen Berisha u akuzua publikisht dhe u mor në pyetje në fshehtësi nga prokurorët për këtë çështje, për ngritjen e një magazine të paligjshme demontimi armësh, shpërthimi i të cilës shkaktoi krimin shtetëror të Gërdecit.
Prokuroria asokohe, e vendosur nën thundrën e Sali Berishës, edhe pse me prova, nuk guxoi t’i komunikojë akuzën.
Gjyqtarët amerikanë në vendimin e tyre, kanë konfirmuar Vendimin e Gjykatës së Floridas, duke u shprehur se Shkëlzen Berisha nuk solli prova që rrëzojnë faktet e publikuara dhe “nuk solli argumente të bazuara përmes të cilave të mbërrinte në përfundimin e se gjykata e distriktit (Floridas) abuzoi duke mos i dhënë kohën e duhur për të sjellë provat.”
Ky vendim gjykate edhe pse i karakterit civil, përmban në brendësi indiciet për ri-hapjen e hetimit ndaj Shkëlzen Berishës lidhur me përfshirjen e tij në atë tragjedi të rëndë.


























