Një 40 vjeçar është arrestuar nga Policia në Allias, Tiranë, pasi në një tabachino në pronësi të tij shiste doza kokaine. Pas 5 muajsh hetime, operacioni është finalizuar mbrëmjen e djeshme dhe në pranga ka rënë 40 vjeçari Kreshnik Halilaj.

Për këtë person, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë një hetimi 5-mujor, shërbimet e Policisë bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave të forta.  Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës në zonën e Alliasit, në një tabachino pranë banesës së tij, ku shiste lëndë narkotike kokainë kundrejt 3500 lekë të rinj për dozë.

Gjatë kontrollit të tabachinos dhe banesës u gjetën dhe u sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë, një armë zjarri pistoletë, shumat 42.000 lekë të rinj dhe 8730 euro, një automjet, një motomjet dhe 7 aparate celular.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.