ATSH-AFP/ – Nensi Dojaka, stilistja shqiptare e vendosur në Londër fitoi çmimin LVMH 2021 për talentet e reja, njoftuan organizatorët e konkursit prestigjioz botëror në një komunikatë.

Me veshjet e saj të zeza të stolisura me detaje grafike, stilistja 27-vjeçare fitoi vlerësimin e jurisë së përbërë nga gjashtë drejtorët artistikë të LVMH, Virgil Abloh, Jonathan Anderson, Maria Grazia Chiuri, Marc Jacobs, Kim Jones dhe Stella McCartney.

“Jam shumë e lumtur që Nensi Dojaka është fituesja e Çmimit LVMH të vitit 2021. Veshjet e saj, sensuale dhe të strukturuara, rinovojnë kodet e gardërobës femërore duke ofruar një pamje tërheqëse”, nënvizoi Delphine Arnault, themeluese e çmimit.

Stilistja mori një dhuratë prej 30 000 eurosh dhe përfitoi një kontratë një vjeçare brenda grupit LVMH.

E diplomuar në ”Central Saint Martins” dhe themeluese e markës së saj për veshje të grave, Nensi Dojaka do të marrë pjesë në javën e modës në Londër në shtator.

Përsa i përket çmimit Karl Lagerfeld, ai iu dha tre stilistëve: amerikanit Colm Dillane, 29 vjeç, themelues i markës KidSuper me bazë në Bruklin (moda e grave dhe burrave), afrikanojugorit, Lukhanyo Mdingi, 29 vjeç, me qendër në Cape Town (gra dhe modës për meshkuj), dhe kinezes Rui Zhou, 26 vjeç, themeluese e markës Rui, me bazë në Shanghai (moda unisex)./ /ec/