ATSH-DPA/ – Tre shkencëtarë, Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi kanë fituar çmimin Nobel në Fizikë për vitin 2021 për punën e tyre në modelimin e klimës dhe sistemet komplekse fizike, deklaroi Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Gjysma e parë e çmimit i takon studiuesit japonez, Syukuro Manabe dhe gjermanit Klaus Hasselmann, një shkencëtar që punon në Hamburg, për “modelimin fizik të klimës së Tokës, përcaktimin e ndryshueshmërisë dhe parashikimin e besueshëm të ngrohjes globale”.
Gjysma tjetër e çmimit i shkoi fizikanit italian, Giorgio Parisi për punën e tij në “zbulimin e ndërveprimit midis çrregullimit dhe luhatjeve në sistemet fizike nga shkalla atomike në atë planetare”.
”Të gjitha gjetjet tregojnë se njohuritë tona për klimën mbështeten në një bazë solide shkencore, bazuar në analiza rigoroze të vëzhgimeve”, theksoi Thors Hans Hansson, kryetar i Komitetit Nobel në Fizikë. /os/



























