Kënga pozitive “Physical” u ka mundësuar njerëzve arratisje nga këto kohë të pasigurta. Shkrimi i këngës përfshiu lexime të letrave Tarot dhe një shabllon të çmendur flaute. Ylli i popit i shpjegon te gjitha në “Ditarin e një Kënge”

– Me vite, tingulli dominues i muzikës pop ka qenë i sikletshëm, paranoik, i hidhëruar dhe klaustrofobik – këngë të pikëlluara e të murrme për kohëra të pasigurta. Deri sa nuk erdhi Dua Lipa.

Në dy albumet e saj të para, këngëtarja 24-vjeçare ka preferuar këngë me rritëm të shpejtë, vallëzuese dhe të hareshme, të cilat, edhe kur flasin për humbje dashurie, nxisin lëvizje, energji dhe optimizëm.

Me të drejtë, ajo e quajti albumin e saj të fundit “Future Nostalgia” (Nostalgjia e së ardhmes), i cili u publikua në mars dhe ktheu botën te popi argëtues i Lady Gaga, Katy Perry, Pink, Nelly Furtado dhe Blondie.

Por derisa muzika e re e Dua Lipës duhej të ishte muzikë e një vere të ngrohtë në podiumet e vallëzimit përreth botës, “Future Nostalgia” u publikua në një kohë të izolimit të detyruar, ku bota përpiqet të luftojë koronavirusin. Në vend se të jetë festim, albumi u bë “ilaç” për shumë njerëz, me këngë që ndriçojnë dhe ndezin dritat në shtëpitë e izoluara. Dhe asnjë nga këngët nuk e ka atë efekt më shumë se kënga “Physical”, për të cilën Dua Lipa, flet në episodin e fundit të “Diary of a Song” (Ditari i një kënge).

Kënga “Physical”, refreni dhe energjia e së cilës vjen nga hiti me emër të njëjtë i viteve të 80-ta të Olivia Newton John-it, ndodhi pak si pahiri një ditë në Los Angeles, ku Lipa u takua me një ekip bashkëpunëtorësh, përfshirë autorët Clarence Coffee Jr. e Sarah Hudson, dhe incizimi i këngës, ashtu si gjithmonë, u nis me leximin e letrave Tarot.

Producenti Jason Evigan i dha ngjyrë fillestare këngës duke përdorur shabllonet e një flaute persiane, gjersa Lipa dhe bashkautorët u përpoqën t’i përshtaten me energji pozitive dhe ritëm nxitës.

Kënga “Physical” pastaj u gdhend deri në fund nga producenti Koz, i cili punoi në detaje, e në fund erdhi inkurajimi dhe ekspertiza e trajneres së zërit dhe producentes së Dua Lipës, Lorna Blackwood. Ajo i ndihmoi në mjeshtërimin e toneve të thella dhe atyre të larta e valëzuese.

“Physical” që nga atëherë u bë hit i madh në Britani, duke e arritur numrin 3 në top listë, në javën e njëjtë kur publikoi edhe dy këngë tjera: “Don’t Start Now” dhe “Break My Heart,” të cilat gjithashtu gjeten vend në “top 10”.

Videoja e këngës është shikuar më shumë se 100 milionë herë, duke mos numëruar versionin shtëpiak me vallëzim aerobik, që mori rëndësi të posaçme në izolim gjatë pandemisë globale.