Zëvendëstrajneri Endri Zjarri e nisi ndeshjen me këtë formacion: Alain Taho, Aurel Marku, Ervin Bashi, Numan Ajeti, Arlind Kurti, Etnik Brruti, Mattia Huqi, Luan Simnica, Omer Bajraktari, Ermir Rashica dhe Kevin Dodaj. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Samuel Sina, Krist Gecaj, Aidon Shehu, Gabriel Kulla, Ergis Arifi, Erald Maksuti, Fabjan Përndreca dhe Benjami Dibrani.
Ndeshja nisi mirë për kuqezinjtë, të cilët patën disa mundësi të mira për shënim. Në minutën e 18-të, Shqipëria gjeti rrugën e rrjetës me Kevin Dodajn. Pjesa e parë u dominua nga skuadra e Zjarrit, e cila mund të kishte shënuar edhe më tepër.
Në fraksionin e dytë, saktësisht në minutën e 55-të, Ukraina fitoi një 11-metërsh, i cili u kthye në gol nga Oleksii Talpa. Vetëm dy minuta më vonë, Dmytro Bohdanov përmbysi rezultatin, duke i dhënë avantazhin Ukrainës.
Por Shqipëria nuk u dorëzua dhe pas disa mundësive radhazi, në minutën e 90-të, Erald Maksuti ktheu në gol një harkim nga këndi, duke vendosur baraspeshën. Kuqezinjtë mund të kishin shënuar edhe në minutat shtesë me Kullën, por në fund gjithçka u mbyll në barazim 2-2.
Një test i mirë për Shqipërinë U21, që vijon punën për finalet e Kampionatit Europian U21, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në vendin tonë.



























