Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero shprehet në një përgjigje për ATSH-në se, “integrimi rajonal, i bazuar në rregullat e BE-së dhe në të vërtetë gjithëpërfshirës, mund të sjellë përfitime të prekshme për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja që BE-ja kujdeset shumë për bashkëpunimin rajonal”.
“Mungesa e ecjes përpara në zbatimin e tregut të përbashkët rajonal ka sjellë pengesa për përfitime të rëndësishme, veçanërisht për biznesin, investitorët dhe konsumatorët”, thekson Pisonero për ATSH.
Ne, nënvizon ajo, “përshëndesim faktin që pjesëmarrësit e iniciativës për Ballkanin e Hapur janë të përkushtuar për promovimin e integrimit më të madh rajonal”.
“Mbetet e qartë që përfitime më të mëdha do të vijnë nëse përfshihen të gjashtë vendet. Drejtuesit e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparime në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes në 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve”, shton Pisonero.
“Kjo është e rëndësishme për të realizuar përfitimet e plota të integrimit rajonal, për të shfrytëzuar sa më mirë investimet sipas Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe për të lidhur më mirë të gjithë rajonin me tregun e vetëm të BE-së”, vijon më tej Pisonero.
“BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA-n, Komunitetet e Transportit dhe Energjisë për të sjellë përfitime për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë përmes bashkëpunimit të zgjeruar rajonal”, përfundon përgjigjen e saj Pisonero.

























