Në predikimin e tij, papa Françesku tha sot në Bazilikën e Shën Pjetrit se nënat duhet të mbështeten dhe gratë të mbrohen.
“Sa dhunë ka ndaj grave!” u ankua 85-vjeçari.
“Duhet të ketë një fund! Të dhunosh një grua do të thotë të fyesh Zotin, i cili mori formën e tij njerëzore nga një grua”, theksoi ai.
Ndryshe nga mbrëmja në natën e Vitit të Ri, papa Françesku kryesoi vetë shërbesën e parë të vitit 2022.
“Kisha është nënë, Kisha është grua”, tha ai.
“Nënat dhe gratë nuk e shikojnë botën për ta shfrytëzuar atë, por për të dhënë jetën e tyre. Kjo është ajo që i duhet botës në këtë kohë plot kriza dhe luftra. Nënat dinë të kapërcejnë pengesat dhe konfliktet, si edhe të bëjnë paqe”, tha Papa.
“Nënat dhe gratë shohin me zemër. Dhe meqenëse nënat japin jetë dhe gratë ruajnë botën, ne të gjithë duhet të punojmë për të mbështetur nënat dhe për të mbrojtur gratë”, kërkoi papa Françesku./ a.jor.

























