Në fjalën e saj në konferencën e përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, Lührmann tha se, “Shqipëria dhe Ballkani perëndimor, si edhe perspektiva e anëtarësimit në BE, për mua personalisht, por edhe për qeverinë Federale janë vërtetë me rëndësi strategjike”.

“Qeveria Federale angazhohet fuqishëm për një nisje sa më të shpejtë të mundshme të bisedimeve të anëtarësimit dhe kjo është në interes jo vetëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe në interesin fillestar të vetë BE-së dhe është mjaft e rëndësishme për stabilitetin në rajon”, tha Lührmann.

“Në kuadër të marrëdhënieve diplomatike që ekzistojnë tashmë prej 35 vitesh mes Republikës Federale dhe Republikës së Shqipërisë ne punojmë dhe bashkëpunojmë ngushtësisht në të mirë të njerëzve në shumë sektorë, për shembull në sektorin e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, të furnizimit me ujë, menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza, sipas standardeve të BE-së, por edhe në sektorin e eficencës së energjisë. Bashkëpunojmë shumë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile me të cilët unë pata mundësi të takohesha sot. Sigurisht që bashkëpunojmë ngushtësisht edhe në sektorët e kulturës, së arsimit, të tregtisë dhe sigurisht edhe në kuadër të forumeve ndërkombëtare”, theksoi Lührmann.

“Pikërisht këtë vit, kur Shqipëria për herë të parë ulet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për këtë edhe njëherë urimet e mia të përzemërta, ne gëzohemi që do të mund të mbështetemi tek Shqipëria si një partner i besueshëm”, tha Lührmann.

Ministrja Lührmann nënvizoi se, “Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në konsolidimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Po kështu, janë ngritur struktura për një përballje të vendosur me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe kjo meriton një respekt vërtetë të madh. Zyrtarë të lartë dhe pjesëtar të rrjeteve të krimit të organizuar janë dërguar pas bankës së të akuzuarve dhe janë dënuar. Procesi i vetingut është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe në këtë rrugë do të duhet të vijohet më tej me vendosmëri. Dhe këtu janë të nevojshme si qeveria ashtu edhe opozita. Hapat pas do ta dëmtonin qartësisht procesin e reformave”.

“Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës, ndaj në vitin 2014 qeveria Federale solli në jetë procesin e Berlinit. Rajoni mbetet i një prioriteti të lartë edhe për qeverinë e re federale, në mënyrë konstante kjo. Ne përshëndesim angazhimin për bashkëpunimin rajonal mes kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe e kuptojmë mjaft mirë dëshirën e tyre për të bërë përpara në këtë proces. Këtu është e qartë që rruga duhet të ndjekë kursin e bashkëpunimit të të 6 vendeve dhe që procesi duhet të vazhdojë të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjithë”, tha Lührmann.

Ndaj shtoi ajo, “lipset që të bëhet progres në zbatimin e Plan Veprimit 2020 miratuar në Sofje, për ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal”.

Lührmann shtoi se, 4 liritë themelore, qarkullimi i lirë i personave, mallrave, shërbimeve, kapitalit është me rëndësi maksimale për të gjithë rajonin.

“Një shembull i mirë për atë se çfarë mund të arrihet përmes bashkëpunimit rajonal janë programet e shkëmbimit dhe projektet rinore ndërkufitare të rrjetit rinor rajonal. Këtu bën pjesë edhe heqja e tarifave roaming në rajon, sikundër edhe thjeshtimi i procedurave të transportit ndërkufitar të mallrave”, u shpreh Lührmann.

“Si ministre Shteti unë jam përgjegjëse, jo vetëm për Evropën, që sikundër e keni vënë re e kam shumë për zemër, por edhe për mbrojtjen e klimës.Ndaj me interes të veçantë ndjek edhe iniciativat në mbrojtje të hapësirave natyrore unike në Shqipëri. Shpresoj që gjatë vizitës së ardhshme të mund të vij dhe vetë personalisht për bukuritë e vendit tuaj si dhe për rritjen e kapacitetit të energjive të rigjenerueshme përtej fuqisë hidrike. Ne duhet ta mbrojmë natyrën tonë në mënyrë të tillë që t’ua lëmë atë brezave të ardhshëm. Jemi të gatshëm t’ju mbështesim ju, Shqipërinë, pikërisht në arritjen e standardeve të larta të mbrojtjes së natyrës”.

E pyetur nga gazetarët se cili do të jetë angazhimi i Gjermanisë për të mundësuar hapjen e negociatave, Lührmann tha se, “si qeveri e re Federale në marrëveshjen tonë të koalicionit ne kemi përcaktuar prioritetet tona më të larta dhe pikërisht që do të punojmë shumë fuqishëm në mënyrë të tillë që perspektiva e anëtarësimit në BE të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet konkrete. Dhe që prej 1 muaji, që prej marrjes së detyrës së re, në bisedat e mia në Bruksel dhe në Paris, e kam tematizuar vazhdimisht këtë çështje me rëndësi qendrore, thelbësore për ne, që të mund të ecim përpara në këtë kontekst, në kontekstin e nisjes sa më shpejt të mundshme të bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe të Shqipërisë. Që çështjet që ekzistojnë ende midis Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë të mund të zgjidhen në nivel bilateral. Muajin e ardhshëm ne si i qeveri Federale do ta theksojmë edhe njëherë sërish këtë në forumet ku marrim pjesë me partnerët tanë evropianë, në Bruksel dhe jam tejet optimiste që në të ardhmen e afërt ne do mund të bëjmë hapa përpara në këtë drejtim”.

E pyetur nëse është Gjermania pro ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit në momentin që kjo e fundit ka ende veton bullgare, Lührmann tha se, “për ne është me një rëndësi thelbësore që mund të ecim sa më shpejt në këtë rrugë në nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne nuk dëshirojmë ta komplikojmë më tej edhe ta vonojmë më tej këtë proces. Kemi marrë sinjale shumë pozitive edhe nga Bullgaria në këtë kontekst dhe do të vazhdojmë të angazhohemi që ne të mund të gjejmë në një moment sa më të afërt të mundshëm edhe zgjidhjen më të përshtatshme”.

/j.p/