ATSH/ Përfaqësuesi i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë pritur në takim liderët opozitarë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun u shpreh se u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe rolin e PDK-së si udhëheqëse e opozitës në vend.
“Sot, në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, takova Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Diskutuam për zhvillimet politike në shtetin tonë dhe për rolin e Partisë Demokratike të Kosovës si udhëheqëse e opozitës në vend. PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka shkruar Krasniqi. /KosovaPress/

























