/ATSH/ Banka e Shqipërisë, (BSH) publikoi studimin mbi kriptomonedhat, që mund të kenë më shumë mundësi përdorimi në tregjet financiare dhe ndikimin e monedhave dixhitale në stabilitetin financiar.

Sipas BSH-së, studimi prezanton monedhat dixhitale të tre kategorive të ndryshme: kriptomonedhat dixhitale me çmim të luhatshëm, kriptomonedhat me çmim fiks ose stablecoins dhe paranë elektronike të bankave qendrore. Krahasimi i tyre është bërë në bazë të; lehtësisë për kryerjen e transaksioneve, luhatshmëria e çmimit, lehtësia e aksesit të secilës forme të parasë, për të gjetur atë me përhapje të gjerë në publik.

“Mes dy alternativave të monedhave dixhitale private, studimi vlerëson se stablecoins kanë një perspektivë për të gjetur përdorim më të gjerë në publik”, thekson BSH-ja.

Sipas studimit të prezantuar nga BSH-ja, Stablecoins mund të lidhen me vlerën e tregut të një monedhe zyrtare, si për shembull dollari, ose të një aseti, si ari o metale të tjera të çmuara. Ndërsa thekson se, “një ndër stablecoin më të njohura aktualisht është Tether, që është e garantuar me rezerva dollari amerikan dhe që ka një vlerë tregu që i përgjigjet afërsisht vlerës së një njësie të dollarit amerikan”.