/ATSH-DPA/ – Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock vizitoi memorialin e Holokaustit në Jeruzalem, përpara bisedimeve me udhëheqësit izraelitë, në vizitën e saj të parë zyrtare në rajon.

Diplomatja e lartë e qeverisë së re të qendrës së majtë të Gjermanisë do të takohet me kryeministrin, Naftali Bennett si dhe ministrin e Jashtëm, Yair Lapid.

Memoriali i Holokaustit ”Yad Vashem” në Jeruzalem ishte i pari në axhendën e kryediplomates gjermane.

Baerbock vendosi një kurorë për të përkujtuar gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

”Është përgjegjësia jonë të ngremë zërin kundër antisemitizmit, urrejtjes dhe nxitjes, kundër përjashtimit dhe dhunës, në mënyrë që krime të tilla kundër njerëzimit të mos përsëriten kurrë”, theksoi ajo.

”Si nënë e dy vajzave, një shtrëngim në fyt po më merr frymën”, shkroi ajo në Twitter.

Baerbock, në detyrë që nga dhjetori, do të takohet gjithashtu edhe me presidentin palestinez Mahmud Abbas dhe ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki, në Ramallah./ /os/