Në ditën e 17-të të luftës në Ukrainë, forcat ruse po zgjerojnë ofensivën e tyre për herë të parë në perëndim të vendit. Qytetet e mëdha, duke përfshirë Dnipro dhe Lutsk, janë bombarduar të premten. Sulmet janë intensifikuar edhe më tepër në verilindje dhe lindje të Kievit.

09:12 Britania: Trupat ruse janë vetëm 25 km larg Kiev-it

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se “pjesa më e madhe” e forcave ruse janë 25 kilometra larg nga qendra e qytetit të Kievit. Në njoftimin e saj, mësohet se kolona e madhe ushtarake ruse në veri të kryeqytetit është e shpërndarë dhe ka “gjasa t’i shkojë në ndimë një plani të mirëorganizuar për të rrethuar qytetin”. “Mund të jetë edhe një strategji e saj për të shmangur goditjet e forcave ushtarake të Ukrainës, të cilat kanë fituar pozicion ndaj forcave ruse”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

09:00 “Dera e pasme serbe”/ Rusët po përdorin “Air Serbia” për të udhëtuar në Evropë

Rusët po shfrytëzojnë një shteg të njohur si “dera e pasme serbe” për të ikur në Evropë dhe për të anashkaluar një ndalim në mbarë unionin për fluturimet drejt dhe nga Rusia. “Air Serbia”, e cila është kryesisht në pronësi të shtetit, ka dyfishuar numrin e fluturimeve direkte nga Moska në Beograd në 15 në javë. Kjo për të përmbushur kërkesën në rritje të shpejtë pasi BE-ja ndaloi avionët dhe linjat ajrore ruse nga hapësira e saj ajrore, pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti, Vladimir Putin. Rusia, po ashtu, u përgjigj duke mbyllur hapësirën e saj ajrore ndaj avionëve të BE-së dhe Britanisë së Madhe.