ATSH-UKRINFORM-DPA/ – Ushtria ruse bombardoi godinën e Teatrit, në qendër të Mariupolit, që përdorej si strehë për qindra njerëz.

“Sot, trupat rusiste shkatërruan qëllimisht dhe në mënyrë cinike Teatrin, që ndodhet në zemër të Mariupolit. Aeroplani hodhi një bombë në ndërtesën ku fshiheshin qindra banorë paqësorë të Mariupolit. Është ende e pamundur të vlerësohen përmasat e këtij veprimi të tmerrshëm dhe çnjerëzor”, thuhet në njoftimin e këshillit bashkiak të qytetit.

Sipas deklaratës, pas bombardimit është shkatërruar pjesa qendrore e teatrit.

“Është e pamundur të gjesh fjalë që mund të përshkruajnë nivelin e mizorisë dhe cinizmit me të cilin pushtuesit rusë po shkatërrojnë popullsinë civile të qytetit port ukrainas. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit mbeten një objektiv i armikut. Këta janë plotësisht të paarmatosur. Është e qartë se qëllimi i vetëm i ushtrisë ruse është gjenocidi kundër popullit ukrainas”, theksoi këshilli bashkiak.

Ndërkohë, një deputet ukrainas thotë se ka të mbijetuar nga sulmi në teatër.

“Pas një nate të tmerrshme pasigurie, në mëngjesin e ditës së njëzetë e dytë të luftës më në fund një lajm i mirë nga Mariupoli! Njerëzit po dalin të gjallë!”, shkroi deputeti Serhiy Taruta në Facebook, sot në mëngjes.

”Heqja e rrënojave ka filluar”, tha ai.

Autoritetet ukrainase thanë se ndërtesa, e cila përmbante një strehë për bomba, u sulmua të mërkurën dhe u shkatërrua kryesisht.

Kievi dhe Moska fajësuan njëri-tjetrin për incidentin./ a.jor.