ATSH-DPA/- Rusia tha se ka përdorur një raketë hipersonike për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të saj në Ukrainë, ndërsa Kievi ka raportuar viktima të tjera gjatë sulmeve ruse në vend.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi përdorimin e tipit të ri të raketës, duke shënuar potencialisht një përshkallëzim të ri në sulmin ndaj fqinjit të saj.
Moska tha se raketa ajër-tokë “Kinzhal” ose “Dagger” shkatërroi të premten një depo municionesh nëntokësore në jugperëndim të Ukrainës.
“Sulmi në rajonin Ivano-Frankivsk shënon gjithashtu dislokimin për herë të parë të raketës në luftime”, tha ministria.
Deri më tani, raketat Kinzhal janë përdorur kryesisht gjatë manovrave ushtarake, disa ditë para fillimit të pushtimit më 24 shkurt.
Raketat lëshohen nga avionët luftarakë MiG-31 dhe, sipas Rusisë mund të godasin objektiva deri në 2000 kilometra larg. Raketat hipersonike e kalojnë disa herë shpejtësinë e zërit dhe fluturojnë me mbi 6000 kilometra në orë.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë koment nga qeveria ukrainase dhe pretendimi i Moskës nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Moska akuzoi Kievin të shtunën në mbrëmje për planifikimin e një sulmi të qellimshëm dhe të rremë ndaj objekteve të diplomatëve perëndimorë në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se udhëheqja ukrainase synonte të portretizonte sulmet ndaj vendeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore si një “sulm i shënjestruar nga forcat e armatosura ruse”. //a.i/


























