TIRANË, 16 prill/ATSH/- Mbi dhjetë mijë njerëz u mblodhën mbrëmë rreth Papa Françeskut për t’u lutur në festën prekëse të së Premtes së Madhe, që u rikthye në Koloseum, pas dy vjet COVID-19.

Në të katërmbëdhjetë stacionet, u ndoqën episode nga jeta e përditshme e familjeve, dënimi i “terrorit” gjatë luftës në Ukrainë, dëshmia e një çifti emigrantësh”.

Papa Françesku ishte gjatë gjithë kohës me kokën ulur dhe duar të bashkuara në lutje, i veshur me pallton e bardhë, i zhytur në meditim.

Herë pas here i mbulonte sytë me dorë. Pas shpatullave të tij, pishtarët ndriçonin kryqin e madh të vendosur, sipas traditës, në kodrën përballë Bazilikës së Maksencit, pranë Udhës Shenjte, që përshkon gjithë Forumin Romak, deri në Kapitol.

Me një fill zëri, ngarkuar me emocion, Papa e mori fjalën në fund të ritit.

I drejtoi lutjen e përgjëruar Zotit, që “të lindë dielli mbi të mirët dhe të këqijtë” duke i kërkuar që “zemrat tona rebele” të bëjnë kthesë e “të mësohen të ndjekim projektet e paqes”.

“Atë i mëshirshëm, premto që kundërshtarët e tu t’i shtrëngojnë duart. Ta falin njëri-tjetrin! Çarmatose dorën që ngre vëllai kundër vëllait, shndërroje urrejtjen në harmoni”, u lut Papa.