Komisioni i Ekonomisë miratoi sot Aktin Normativ: “Për një shtesë në aktin normativ të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar”, që parashikon shtyrjen e qirave me dy muaj për individët, studentët dhe bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Mira Rakacolli, tha se sëmundja COVID-19, po paraqet një sfidë për të gjithë. Për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në këtë situatë, qeveria ka marrë disa masa sociale, siç është shtyrja e këstit të qirasë.
“Ministria e Shëndetësisë ka propozuar që në rastet kur pagesa e qirasë kryhet nga të ardhurat e aktivitetit, i cili në kushtet aktuale është mbyllur me vendim qeverie për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, nga përhapja e COVID-19, qytetari të ketë mundësi që të mos e paguajë në këto dy muaj dhe ta paguajë atë më pas të shtrirë në kohë”, -tha Rakacolli.
Sipas saj, qytetarët që të fitojnë këtë mbështetje duhet të sjellin kontratën e qiramarrjes dhe të vërtetojnë se ata e kanë paguar qiranë mbi bazën e punës që ata kanë pasur dhe që aktualisht është mbyllur.
Është menduar që kjo qira të paguhet pas 31 majit dhe sipas një ndarjeje proporcionale, tha ajo.
Ndërsa zv.ministri i Brendshëm u shpreh se janë tri kategori subjektesh: ato që kanë pasur një punë dhe për shkak të situatës nuk janë në gjendje të sigurojnë të ardhura, ato që janë studentë dhe për periudhën që shkollat dhe universitetet janë mbyllur dhe detyrohen të mbajnë në vijimësi një kontratë qiraje kur të rifillojë shkolla dhe biznesi i vogël me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë dhe janë të kufizuar në punën e tyre për shkak të kësaj situate.
Nuk falen qiratë, thjesht shtyhen në kohë dhe shpërndahen në mënyrë proporcionale në kohë, deklaroi Hodo. e.xh/j.p//r.e/atsh