Ekonomitë kryesore të Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) janë pajtuar të ofrojnë 9.5 miliardë dollarë, si ndihmë e re ekonomike për Ukrainën, për të ndihmuar Kievin të paguajë pagat për punonjësit publikë dhe të sigurojë që qeveria të vazhdojë të funksionojë derisa po mbrohet nga pushtimi rus.

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner u tha gazetarëve, më 20 maj, se me shtimin e 9.5 miliardë dollarëve, mbështetja aktuale për Ukrainën arrin në 19.8 miliardë dollarë. Shuma e re e ndihmës u premtua gjatë takimeve midis ministrave të financave të G7 dhe guvernatorëve të bankave qendrore në Gjermani, këtë javë.

“U pajtuam që situata financiare e Ukrainës nuk guxon të ndikojë në aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten me sukses”, tha Lindner. “Duhet të japim gjithçka nga vetja për t’i dhënë fund kësaj lufte”.

Premtimet e reja përfshijnë 7.5 miliardë dollarë mjete pa kthim nga Shtetet e Bashkuara dhe një grant prej 1 miliard dollarësh nga Gjermania. Vendet tjera të G7 do të sigurojnë një miliardë dollarë të tjera, në formën e garancive dhe kredive, ka deklaruar Ministria e Financave e Gjermanisë.

“Ne do të vazhdojmë të jemi me Ukrainën gjatë dhe pas kësaj lufte dhe jemi të gatshëm, nëse është e nevojshme, të bëjmë më shumë”, kanë thënë ministrat e G7 në një komunikatë në fund të takimit dyditor në Gjermani.rel 

Tch