ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, mori pjesë në një aktivitet ku u prezantua studimi i “World Vision Albania” mbi fuqizimin e grave.
“Gra të fuqizuara, fëmijë të fuqizuar! World Vision Albania lançoi studimin me këtë titull ditën e djeshme, i cili synon analizimin e marrëdhënies mes fuqizimit të nënës dhe përmirësimit të jetës së fëmijës”, u shpreh Muzhaqi.
“Në këtë studim morën pjesë 464 fëmijë të grupmoshës 11-17 vjeç dhe 464 gra (nëna) të grupmoshës 35-50 vjeç, në 8 zona të vendit”, theksoi Muzhaqi.
“Fuqizimi i grave në zonat rurale është sfidë e përditshme dhe, me këtë studim, World Vision tregoi disa nga problematikat që hasen në këto zona, për të cilat diskutuam së bashku rreth mënyrave më të mira për adresimin e tyre”, shtoi më tej ministrja Muzhaqi.
Muzhaqi u përqendrua tek programet që po hartohen për fëmijët shqiptarë dhe sesi këto programe ndikojnë indirekt edhe në fuqizimin e nënave.
World Vision Albania lançoi sot, për herë të parë në Shqipëri studimin “Gra të fuqizuara, fëmijë të fuqizuar” i cili analizon marrëdhënien që ekziston mes fuqizimit të nënës dhe fuqizimit/ përmirësimit të jetës së fëmijës.



























