Legjenda e Romës, Francesco Totti ka falënderuar Tiranën për mikpritjen që sipas tij i solli fat verdhekuqve.
Në një intervistë për A2 ai tregon emocionet e triumfit të Romës në Conference League, vlerësimet për Kumbullën si dhe batutat për Mourinho-n.
I pyetur për emocionet që përjetoi kur po përgatitej skena për trofeun, Totti tha se, “unë, ashtu si të gjithë romanistët ishim të emocionuar. Pas shumë vitesh që nuk fitonim një trofe ndërkombëtar, për ne ishte e veçantë të ishim pjesë e atij momenti. Për këtë arsye, emocionet ishin normale”.
I pyetur nëse ndeju pakëz xhelozi për Pellegrinin që ngriti kupën, Totti tha se, “për mua, fjala xhelozi nuk ekziston. Jam shumë i kënaqur për Lorencon, për Romën, për tifozët. Të gjithë do të dëshironin ta ngrinin atë kupë. Edhe unë kam ngritur disa kupa. Ishte njësoj sikur po e ngrija unë trofeun”.
“Le të themi që Totti e ka bërë historinë e Romës, me Romën. Bëra një zgjedhje jete, që mbajta vetëm një fanellë. Për mua fitorja më e rëndësishme ishte ajo. Trofetë, fitoret dhe gjithçka tjetër vinin më pas”, u shpreh ai.
I pyetur se sa premton Marash Kumbulla, Totti theksoi se, “Kumbulla është një lojtar i mirë, i cili i ka treguar vlerat. Ky futbollist mund të bëjë mirë te kjo skuadër e Romës. Jemi të lumtur që është pjesë e grupit. Edhe sepse djaloshi është shqiptar dhe cilësohet i Shqipërisë këtu”.
Për Shqipërinë dhe për stadiumin, Totti tha se, “Shqipërisë i them faleminderit për mikpritjen. Tirana është një qytet që na sjell fat. Stadiumi ishte i mrekullueshëm, edhe pse pak i vogël. Me 10-15 mijë vende më tepër do të ishte perfekt. Ne në Romë themi që duket si “Bombonera”.



























